Ajo është një nga personazhet më interesant të showbiz-it shqiptar! Në kulmin e karrierës së saj profesionale, jo vetëm si modele, por së fundmi edhe si producente filmash me metrazh të shkurtër, si edhe me objektivin për të shkruar librin e saj të parë, Angela Martini po shijon dukshëm një nga periudhat më të arta. Siç shohim edhe nga profili i saj zyrtar në Instagram, prej disa muajsh bukuroshja shqiptare është zhvendosur në Los Angeles, ku po investon bindshëm në fushën profesionale.
Deri këtu s’ka asgjë për t’u shqetësuar sepse gjithçka duket për mrekulli! Por, detaji që i bën të gjithë të dyshojnë është fakti se prej disa kohësh Angela nuk po shfaq më foto me bashkëshortin e saj, miliarderin rumun Dragos Savulescu, me të cilin ajo kurorëzoi historinë e dashurisë në dhjetorin e vitit 2017-të! Në një ceremoni private, shumë të veçantë, Angela dhe Dragos i thanë “PO” njëri-tjetrit dhe lajmi bëri xhiron e medias shqiptare.
Më parë, Angela Martini publikonte shumë shpesh foto me bashkëshortin, nga përditshmëria, surprizat e shumta që i bënte ai, udhëtimet dhe jetën luksoze, e gjithçka e pasqyronte në profilin e saj zyrtar ku numëron më shumë se 410 mijë ndjekës.Prej më shumë se një viti, bukuroshja shqiptare nuk poston më asnjë foto me partnerin rumun, çka ka ngritur dukshëm një tymnajë hamendësimesh se ata mund t’i kenë dhënë fund lidhjes së tyre.
Le të shpresojmë që në ditët në vijim vetë Angela Martini do të bëjë ndonjë reagim lidhur me këto lajme, për të na shuar ndoshta të gjithëve edhe dyshimet tona të momentit.