Pamela Aliaj – Mendoni se për figurat e showbizit çdo gjë shkon vaj? Gaboheni! Ankthi dhe depresioni janë dy probleme të shëndetit mendor që sa vjen dhe po shënojnë një rritje edhe në vendin tonë. Çrregullimet e ankthit zënë vendin e parë të shqetësimeve sipas mjekëve dhe shkaktarët janë të shumtë. Në botën e figurave të njohura televizive ka shumë raste kur të famshmit kanë treguar se kanë vuajtur nga ankthi dhe depresioni ose vuajnë. Shumë prej tyre u është dashur të përballen me sëmundje mendore dhe kanë gjetur guximin t’i luftojnë duke folur për to. Në shumicën e rasteve kjo është një çështje mjaft delikate që kërkon një trajtim të menjëhershëm. Megjithatë është e vështirë, sepse një pjesë e madhe që vuajnë nga kjo gjë nuk arrijnë ta pranojnë, madje e mbajnë të fshehtë. Por siç e thotë dhe shkenca dhe si të gjithë e dimë depresioni, ankthi apo çdo problem tjetër mendor nuk mund të trajtohet nëse nuk flasim hapur për këtë gjë. Pas disa vetëvrasjeve të njëpasnjëshme në botën e ‘Hollywood’-it dhe kryesisht showbiz-it të huaj, duket se një pjesë e madhe e artistëve janë ndërgjegjësuar dhe kanë folur për problemet e tyre mendore dhe si ia kanë dalë mbanë. Një ndër personazhet që ka folur hapur rreth këtij problemi ishte këngëtarja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha. Në një intervistë për “Teen Vogue” përveç të tjerash ajo u shpreh dhe rreth sëmundjes së saj: “Unë qaj shumë. E kam të vështirë. Kam terapistin tim dhe kam njerëz me të cilët flas. Është një betejë e përditshme, mendoj “- u shpreh ajo. Në Shqipëri janë të pakta të tilla raste, por më poshtë do t’ju listojmë disa prej tyre që pranuan që kanë kaluar një situatë të tillë për t’u dhënë zemër të tjerëve për të kaluar një situatë të tillë delikate për shëndetin mendor
Flaka Krelani
Këngëtarja e njohur ka bërë një rrëfim të sinqertë në rrjete sociale, në lidhje me periudhën e errët të jetës së saj. “Fundi i vitit 2018 dhe fillimi i vitit 2019 ka qenë i vështirë për mua fizikisht dhe mendërisht. Arsyeja që po shprehem kaq shumë, është, sepse secili prej nesh ka vështirësi të cilat janë normale, zhgënjimet gjithashtu janë normale, si mungesa e motivimit, nuk është fundi i botës apo gjëra të tjera që na bëjnë të ndihemi keq. Do të doja të gjitha të ishin si ilaçe që të mund t’i konsumoja çdo ditë, sepse më ndihmojnë të arrijë gjithçka që dua në jetë. Ajo që jemi, është ajo për të cilën jemi të gatshëm të luftojmë. Kthejeni veten në prioritet dhe mos e ktheni “problemin” në problem, sepse ai nuk ekziston. Shëndeti është e vetmja gjë e rëndësishme në jetë”, ka shkruar këngëtarja. Ajo ka marrë menjëherë një mbështetje shumë të madhe nga fansat dhe guximi i saj është përgëzuar nga të gjithë.
Dafina Zeqiri
Dafina ka publikuar në ‘Instagram’ një shkrim të një artisteje amerikane, e cila ka rrëfyer se ajo çdo ditë praktikohet dhe kujdeset për shëndetin e saj mendor, duke qenë se vite më parë ka vuajtur nga dëshpërimi dhe në disa raste ka tentuar dhe vetëvrasjen. Pas kësaj këngëtarja shqiptare ka thënë se familja dhe fansat e saj nuk e kanë menduar asnjëherë se e ka kaluar dhe ajo këtë gjendje. Më pas Dafina ka dhënë dhe një mesazh shumë të rëndësishëm për të mbrojtur veten nga depresioni dhe për të shpërndarë më shumë dashuri me njëri-tjetrin. “Depresioni është real dhe mund të jetë i dukshëm. Flisni! Kujdesuni për njëri-tjetrin! Mos e merrni mirësinë për dobësi! Mos e merrni dashurinë, besnikërinë dhe suportin të garantuar! Ju dua me gjithë zemër!”, – ka shkruar këngëtarja shqiptare. Mesa duket dhe këngëtarja ka kaluar një problem të tillë më parë.
Lori Hoxha
Fotot e bukura veshjet e shtrenjta janë vetëm fasada. Megjithatë, përtej ‘Instagramit’, askush nuk është në dijeni të vështirësive që kanë personazhet e njohur. Lori Hoxha, ka vendosur të ndajë para disa kohësh një fakt jo pak të rëndësishëm me ndjekësit në Snapchat. “Një fakt i vogël: ankthi nuk më lë të fle”, ka shkruar ajo teksa pati postuar një foto.
Bebe Rexha
Ajo kohët e fundit ka dhënë një intervistë për “Teen Vogue” ku ka rrëfyer eksperiencat e saj muzikore dhe ka folur për herë të parë për shëndetin e saj mendor. “Unë qaj shumë. E kam të vështirë. Kam terapistin tim dhe kam njerëz me të cilët flas. Është një betejë e përditshme, mendoj. Unë nuk dua ta ushqej, por jeta ime është kaq e çmendur. Kur shkova fillimisht në vitin e parë të kolegjit, isha kaq intensive. Unë nuk dija se si të reagoja dhe të përfshihesha mes njerëzve. Unë kam qenë shumë e shqetësuar gjatë gjithë kohës. Isha e shqetësuar kur isha një vajzë e vogël, thjesht nuk e dija se çfarë ishte. Së fundi, kur e kuptova, isha si ‘Oh… Më në fund, e kuptoj. Kam ankth’ – është shprehur këngëtarja shqiptare.
Albano Bogdo
Në një rrëfim të sinqertë për emisionin “Rreze Dielli”, aktori i humorit Albano Bogdo ka rrëfyer luftën e tij me ankthin dhe depresionin, që e çuan te pija. Ai ka luftuar shumë për të qenë ky që është sot, pasi ka pasur probleme, shkak për të cilat është bërë ankthi. Ai madje rrëfeu se si pasojë e kësaj jete që bënte, u nda dhe nga e fejuara. “Për rreth tre vjet e gjysmë jam kuruar dhe vazhdoj të kurohem, sepse më zë paniku dhe ankthi. Unë, që t’i bija shkurt, zgjodha pijen dhe jetën e shfrenuar. Pija 2 shishe alkool në ditë dhe kjo zgjati për afro një vit e gjysmë-dy vjet. Tani më duket sikur më zënë mallkimet e 300-400 njerëzve që kam lënduar”,-është shprehur aktori i humorit, i cili deklaroi më tej se prej këtij problemi ai ishte ndarë dhe nga e fejuara.
Rita Ora
Ishte viti 2016, kur Rita Ora, në një intervistë pranoi se vuante nga ankthi dhe se i gjithë shqetësimi i ishte përforcuar gjatë viteve. “Vuaj nga ankthi dhe kam frikë të pranoj që kam qenë në terapi. Edhe kohët e fundit flas me një specialist një herë në javë”, ka deklaruar këngëtarja. Siç shkruan “Mirror”, krizat e ankthit i kanë lindur këngëtares që në fëmijëri, nga frika që kishte prej vdekjes.