1929. Dy antropologe amerikane nëpër Mirditë e vende te tjera të Shqipërisë së Epërme. Raca e shqiptarëve kishte karakteristika të atilla, që e bëri antropologun amerikan Carleton Coon të kalonte thuajse një vit udhëve të veriut të Shqipërisë. Në fshatrat më të thella të malësisë së Veriut, Coon gjeti karakteret që i duheshin për studimet e tij. Takonte burra, gra, fëmijë e pleq. Bënte ca matje të çuditshme, që me shumë gjasa banorëve të këtyre anëve ju dukeshin jashtë mendsh. Ai studionte tiparet e portretit, flokët, gjatësinë trupore, gjymtyrët… I fotografonte thuajse të gjithë malësorët gegë që takonte.
Me aparatin e tij fiksonte portretin ballor dhe profilin. Po ashtu mbante shënime për secilin prej tyre, pas matjeve të hollësishme që ju bënte. Në këtë udhëtim e shoqëronte një mik i afërt i tij shqiptar, të cilin e kishte punësuar si asistent. Ai quhej Stavri Frashëri. Falë kësaj dysheje, Coon-Frashëri, që qëmtonin karakteristikat e racës shqiptare maleve të veriut të Shqipërisë përgjatë vitit 1929 1930, sot kemi të dokumentuar të dhëna shumë të rëndësishme mbi antropologjinë e gegëve, të cilat së bashku me studimin e tij dhe një album me foto të zgjedhura që Carleton Coon i botoi në librin e tij “Malësia e viganëve: studim racor dhe kulturor i fiseve të malësisë së Shqipërisë së Veriut”, botuar në Kembrixh më 1950.
Coon lindi në Masaçusets në vitin 1904. Studioi fillimisht për egjiptologji dhe antropologji në Universitetin e Harvardit, degë për të cilat u diplomua në vitin 1925. Në këtë drejtim ai kreu kërkime dhe punoi si asistent dhe profesor në Universitetin e Harvardit. Më tej, po në fushën e antropologjisë, ai dha mësime edhe në Universitetin e Pensilvanisë (1948-1963). Gjatë kësaj periudhe ideoi dhe realizoi edhe muzeun universitar të Filadelfias.
“Gjatë viteve 1929-1930 Carleton Coon ndodhej në Shqipëri, ku kreu një studim antropometrik mbi 1.067 shqiptarë të dhjetë zonave të Veriut, duke iu matur madhësitë dhe format e trupave të tyre. Ky studim u përfundua në vitet 1946-1947 me ndihmën e komunitetit shqiptar të Bostonit”, shkruan studiuesi Robert Elsie, në prezantimin e fotografive të realizuara nga Carleton Coon.
Puna e tij kishte qenë e tepër e lodhshme, voluminoze, kërkimet të gjata, një punë që në fund duket se nuk i dha autorit frytet që ai priste. Jehona shkencore e punës kërkimore ishte e kufizuar, meqë “pas Luftë së Dytë Botërore, studime të tilla të antropologjisë fizike dhe të tipareve racore u bënë tabu apo kishin humbur interes”, sqaron studiuesi Robert Elsie, duke shtuar se interes të veçantë ngjallin fotografitë që Coon realizoi gjatë udhëtimeve nëpër dhjetë zonat e veriut shqiptar. Përveç tyre, me mjaft interes janë edhe fotot që mblodhi e botoi nga ana e tij Stavri Frashër në librin e tij “Përmes Mirditës në dimër”, botuar në Korçë më 1930 dhe në versionin anglisht “Through Mirdite in Winter”.
Postime te ngjashme
Add A Comment
