Burime bëjnë me dije se Kuvendi ka njoftuar shtyrjen e seancës për ditë tjetër, teksa ka vënë në dijeni edhe grupet parlamentare.
Ditën e nesërme Tiranën do e vizitojë presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili pritet të inaugurojë edhe xhaminë e Namazgjasë pranë parlamentit. Nuk dihet nëse kjo ka qenë arsyeja e anulimit të zhvillimit të seancës plenare.
Sakaq, për ditën e nesërme ishte paralajmëruar edhe aksioni i radhës i PD-së në parlament me deputetët që po tentonin sërish kaosin si dy seancat e shkuara.
Kuvendi ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me anulimin e kësaj seance. Ndërkohë disa prej deputetëve të mazhorancës, së bashku me kryeministrin dhe ministrat do të jenë në pritjen e presidentit turk Erdogan.
Në mesazhin e saj kryetarja e Kuvendit shkruan: “Të nderuar kolegë, Ju njoftojmë se seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e planifikuar për ditën e enjte, datë 10 tetor, është anulluar dhe do të zhvillohet në datën 17 tetor, me rend dite të përbashkët, sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit. (Bashkangjitur Urdhër nr. 71, datë 09.10.2024, i Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali.) Faleminderit!”
