Vetëm një ditë para protestës së radhës së opozitës në Tiranë, e cila do të jetë sërish në formën e një marshimi në rrugët kryesore të kryeqytetit, kreu i PD, Sali Berisha bëri një thirrje për gjithë të rinjtë dhe veçanërisht studentët dhe gjimnazistët.
“Dhe sot kërkohet nga ne, që të pamundshmet t’i kthejmë në të mundshme. Është plotësisht reale kjo kërkesë. Ne sot jetojmë në diktaturë e askush nuk duhet të ketë iluzion”, tha Berisha.
Gjatë një aktiviteti përkujtimor në nderim në liderit të studentëve të dhjetorit, Azem Hajdari, Berisha tha se këto janë momente të rëndësishme jo vetëm për të mos harruar veprën e Hajdarit, por edhe për të nxitur të rinjtë që dalin në ballë të aksionit të Partisë Demokratike në betejën elektorale të 11 majit.
“E shkuara të duhet për një qëllim, për të projektuar të ardhmen. Dhe këto të reja dhe të rinj, në këtë vrazhdësi, kohë të vrazhdë ta quajmë për PD, këta zgjodhën që trashëgimia dhe simbolet jo veç të PD, të mos harrohen, por të nderohen, kujtohen, si burim frymëzimi për shqiptarët”, u shpreh Berisha.
Gjatë këtij takimi ishte i pranishëm, edhe djali i vogël i liderit të studentëve të dhjetorit, Azem Hajdari i cili kërkoi nga të rinjtë që të afrohen me PD për mundësuar rotacionin politik.