Një shtetas nga Bjellorusia, rezident në Malin e Zi dhe që aktualisht ndodhet në paraburgim në Durrës, ka kërkuar ndihmë, duke thënë se nëse nuk e lirojnë do të vrasë veten. Ai ka telefonuar në BalkanWeb, dhe ka thënë se po mbahet padrejtësisht në burg kur kanë kaluar të gjitha afatet dhe është shkelur vendimi i Gjykatës.
Bëhet fjalë për 36-vjeçarin Maxim Barycau, i cili ka rrëfyer se është arrestuar 6 muaj më parë për llogari të Malit të Zi, ku akuzohet për mashtrim. Por megjithëse kanë kaluar të gjitha afatet dhe të ekstradimit, ai nuk është liruar ende. 36-vjeçari kërkon reagimin e institucioneve shqiptare pasi në të kundërt nëse nuk zbatohet vendimi i gjykatës ai thotë se do vrasë veten.
Çfarë ka ndodhur me ju?
Jam një shtetas bjellorus. Quhem, Maxim Barycau, 36 vjeç. Më ka mbaruar afati i ekstradimit. I kam të gjitha dokumentet të cilat thonë se brenda kësaj date ose duhet të ekstradohem ose të lirohem.
Kam 6 muaj në burg. Më 27.12.2018 është mbyll vendimi nga Gjykata e Lartë dhe brenda 30 ditëve duhet ose të lirohesha ose të ekstradohesha.
Për çfarë jeni akuzuar dhe ndaluar?
Jam akuzuar për mashtrim. Edhe në Mal të Zi kanë mbaruar afatet dhe do isha i lirë edhe nëse do isha ekstraduar.
A keni komunikuar me avokatët, çfarë ju thonë?
As avokatët nuk po bëjnë gjë. Nuk ka asnjë lëvizje. Avokati i Popullit ka folur me Ministrinë e Drejtësisë dhe ka thënë në qoftë se malazezët nuk vijnë ta marrin për ekstradim nuk lirohet.
Keni familje?
Kam bashkëshorten në Mal të Zi që më pret dhe është e shqetësuar. Nuk e takoj prej muajsh, vetëm kam folur në telefon.
Keni pasur probleme në burg?
Jo nuk kam pasur por kërkoj të zbatohet vendimi.
Cili është apeli juaj?
Më kanë anashkaluar institucionet. Dua të drejtat e mia. Po nuk më dhanë zgjidhje do i bëj ndonjë gjë vetes.
Bashkëshortja
Ndërkohë “BalkanWeb” ka komunikuar edhe me bashkëshorten e 36-vjeçarit, shtetasen Oksana Ushakova e cila nga Mali i Zi kërkon ndihmë pasi sipas saj është e paligjshme që bashkëshorti të mbahet ende në burg.
“Burri im u arrestua më 10 qershor 2017 në Indonezi, dhe Interpoli e ktheu në Shqipëri! Në këtë rast nuk ka një kërkesë të vetme dhe viktimë, por atij iu dha një dënim maksimal. Më pas Gjykata Supreme e përmbysi dënimin e tij duke i dhënë 1.5 vjet, dënim që ka mbaruar. Ai duhet të ishte liruar që më 6 dhjetor ose duhet të ishte ekstraduar në Mal të Zi. Por ai nuk është liruar. Burri im hyri në grevë urie për 10 ditë. Asnjë reagim. Tani ai më ka thënë se do presë damarët. Jam shumë e shqetësuar. Ndërkohë që administrata i thotë se do të çojmë në një spital mendor. Ata tallen me burrin tim”, tregoi gruaja e tij Oskana.