Apeli i GJKKO-së ka lënë sot në burg Samuel Troshanin dhe Izmir Sakicën. Ata akuzohen për rastin e dhunimit së shtetasit Vladimir Bruçi në lagjen Rus.
Gjykata i ka dënuar Troshanin dhe Sakicën për veprat penale ““Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Kanosja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”. Ata dyshohen për konflikt me sende të forta me shtetasin V.Bruçi, pas një sherri për parkimin.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit S. T., 25 vjeç dhe I. S., 24 vjeç, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Kanosja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë përfshirë në konfliktin e ndodhur për vendparkimin e automjeteve, më datë 03.06.2024, në rrugën “Pogej”, gjatë të cilit u godit fizikisht dhe me sende të forta, shtetasi V. B.
Shtetasit S. T. dhe I. S. janë vetëdorëzuar mesditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njoftonte policia.
Sakica dhe Troshani janë po ashtu të dyshuar për përfshirjen e tyre në atentatin që ndodhi më 30 tetor 2024 në rrugën ‘Shkodër – Koplik’, ku u qëllua me breshëri automatiku drejt automjetit të Hamza Licit dhe Arlind Bushatit. Sakica dhe Troshani janë shoqëruar pranë autoriteteve në prani të avokatit mbrojtës, Sokol Tahiraj.