Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja nga Kryesia e Kuendit tha se në muajin janar ka dorëzuar në parlament propozimet për ndryshime në ligjin për nënpunësin civil. Në një deklaratë për mediat, ai tha se me këto ndryshime do të bëhet e mundur që nënpunësit publikë të mos shantazhohen nga qeveria “Rama 3” për të marrë pjesë në takime elektorale të mos jenë pjesë e platformave digjitale ku synohet të arrihet propaganda qeveritare.
“Këto propozime vijnë pas një pune tre mujore ne konsultim me ekspertë të fushës, me punonjës të administratës publike si dhe me të gjithë faktorët dhe aktorët që impaktohen nga ky projektligj. Propozimet synojnë të ndalojnë ligjërisht çdo mundësi, çdo tentativë të qeverisë apo të çdo strukture partiake, të detyrojnë punonjësit dhe nëpunësit publikë të shantazhohen për qëllime politike.
Këto ditë në media është denoncuar skandali i platformës Aktiv1sti, ku më shumë se 70 mijë qytetarë, janë detyruar të regjistrohen dhe të përdoren vetëm për synime politike. Siç është bërë e ditur, shumica e tyre, janë punonjës të administratës, të cilëve u kërkohet që të jenë aktivë politikisht në këtë platformë.
Skandali nuk ka të bëjë vetëm me faktin se administrata po përdoret për të dhënë një imazh të rremë të mbështetjes politike ndaj qeverisë, por edhe me faktin, se përmes këtij aplikacioni, të gjithë pperdoruesit humbasin privatesine, kontrollohen dhe monitorohen deri në dhënien e votës me detyrim për Partinë Socialiste”-tha Gështenja ndër të tjera.