Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj po hetohet nga SPAK-u për 3 akuza. Prokuroria e Posaçme ka regjistruar ndaj tij akuzën shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash. Sipas “Report Tv”, SPAK ka bashkuar dy procedime ndarjen e fraksionit për inceneratorin e Elbasanit ku po hetohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion dhe pastrim parash pas kallëzimit qe i është bërë për vilën në Hamallaj.
Kujtojmë se në fillim të muajit, nisi verifikimi pasuror ndaj Ahmetajt. Byroja Kombëtare e Hetimit kreu kontrolle më 9 Mars në shtëpitë e ish-gruas Albina Mancka dhe bashkëjtueses aktuale Erjola Hoxha. Kontrollet u zhvilluan pas urdhrit të dhënë nga Gjykata e Posaçme.
Emri i Arben Ahmetajt doli pas zbërthimit të laptopit të Klodian Zotos, i cili është përfitues kryesor i inceneratorëve dhe është shpallur në kërkim nga policia. Sipas prokurorit Altin Dumani, rezultatet e ekspertizës së laptopit i janë vënë në dispozicion SPAK që në Nëntor 2022.