Arben Ristani tha sot se asgjë nuk do ta ndalojë vullnetin e demokratëve për të shkarkuar Lulzim Bashën nga kreu i PD.
Si paraqitet situata në Korçë por edhe në degët e tjera të PD pak orë para zhvillimit të referendumit?
Kuvendi i Partisë Demokratike i datës 11 futi, pas shumë kohësh në statutin e PD, edhe të drejtën e anëtarësisë për t’u shprehur në referendum. Kjo e drejtë është risi e madhe për demokratizimin e PD. Mbi bazën e vendimit po të Kuvendit të datës 11 dhjetor, i cili e shkarkoi kryetarin e Partisë Demokratike u vendos që ky shkarkim të ratifikohet në referendumin e datës 18 dhjetor, pra nesër. Jemi sot në Korçë, kemi bërë gati bazën materiale dhe çdo gjë do jetë gati në 08.00 të mëngjesit për të gjithë demokratët e Korçës, të cilët ftohen të vijnë për të votuar dhe ratifikuar vendimin e Kuvendit të PD për shkarkimin e kryetarit Basha.
Thuhet se në pjesën më të madhe të degëve të PD përveç Kolonjës referendumi nuk do mbahet në selitë e PD, por në ambiente të tjera private?
Përveç disa pengesav nga “Lul Brava” siç ka marrë emrin tashmë disa njerëz të tij kanë ndërruar bravat edhe në selitë e PD, por gjithsesi nuk është kjo arsyeja kryesore. Arsyeja është që ne duhet të krijojmë komoditet për atë ditë, për njerëzit që vijnë për të votuar – si në Korçë që është zgjedhur salla e kinemasë – edhe në qytete të tjera ku janë zgjedhur pallatet e kulturës apo ambiente të përshtatshme, në mënyrë që votimi të bëhet sa më komod.
Anëtarë të PD së Korçës kanë bërë publike në rrjetet socialë që një pjesë e mirë e anëtarëve të PD u është marrë karta e anëtarësisë prej muajit qershor dhe nuk është kthyer?
Edhe ky është problem, sepse vërtet një pjese prej tyre u janë marrë kartat e anëtarësisë, gjithsesi ne kemi listat. Nga ana tjetër, meqë është ftuar anëtarësia për të votuar anëtarët e njohin njëri-tjetrin, ne i njohim demokratët, aq më tepër që strukturat janë të gjitha të përfshira. Në komision do jenë po njerëz të strukturave që i njohin demokratët, prandaj do i ftoja të gjithë – pavarësisht se mund t’u jetë marra karta e anëtarësisë – nesër janë të lutur të votojnë.
Prisni një proses të qetë?
Një proces absolut i qetë me një pjesëmarrje të madhe.