Arbnor Muja zgjodhi të përfaqësojë ngjyrat kuqezi dhe së fundmi u pajis me pasaportën e vendit tonë. 24-vjeçari i lindur në Mitrovicë do të jetë afrimi më i ri i trajnerit Sylvinho, për dy sfidat kualifikuese, më 7 shtator kundër Republikës Çeke dhe më 10 shtator përballë Polonisë.
Ai është një prej lojtarëve më në formë të momentit nga trojet shqiptare. Në vitin 2022 ai u transferua te Antwerp në elitën e futbollit belg dhe në harkun e një sezoni fitoi gjithçka. Pas titullit kampion në Belgjikë, ekipi i tij fitoi edhe Kupën dhe Superkupën. Muja në 27 ndeshje të luajtura në kampionat shënoi edhe tre gola.
Katër muaj më parë, lojtari i talentuar u grumbullua për herë të parë në përfaqësuesen e Kosovës. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe atij nuk i’u dha asnjëherë shansi nga ish-trajneri Alen Zhires.