Ardian Nikulaj u vra nga një skuadër vrasësish me kombësi të huaj, duke krijuar terror dhe pasiguri në vend. Ekzekutimi i Nikulajt sipas policisë u organizua nga Edmond Haxhia. 4 shtetas britanikë ishin vëzhguesit e lëvizjeve të 51-vjeçarit dhe ekzekutori, killeri, që realizoi detyrën finale, ishte një 28-vjeçar portugez. Kush është vrasësi me pagesë, Ruben Saraiva, si u fut në rrugën e krimit dhe si arriti të vinte në Shqipëri?
28-vjeçari portugez me origjinë arabe, bëhet pjesë e krimit që në moshë të re. Në vitin 2013, ai arrestohet dhe dënohet në Britani, për shpërndarje të lëndëve narkotike. Killeri portugez ka arritur të krijonte lidhje edhe me organizata kriminale shqiptare që operojnë në Britani dhe pikërisht kjo do të ishte lidhja e tij e parë me shqiptarët dhe kjo lidhje do të forcohej më shumë deri në momentin që do t’i ofrohej një shumë e majme për të kryer një atentat në Shqipëri, që kishte në shënjestër biznesmenin Ardian Nikulaj.
Fillimisht killeri portugez mbërrin në territorin shqiptar në aeroportin e Rinasit më datë 14 shkurt, ku pritet nga Edmond Haxhia. Portugezi akomodohet në një hotel në Shëngjin për disa ditë. Por më pas, streha e tij do të ishte një fshat në Lezhë, Kakarriqi, një vend që e zgjodhi për t’u mos ekspozuar. Në dy muaj, vrasësi portugez mësoi shumë, ai njohu zonën, rrugët dhe gjithçka i duhej, madje u afrua edhe me njerëzit, e njihte Kakarriqin sikur të kishte vite që jetonte aty, tregojnë edhe banorët e fshatit.
I vetëm vrasësi portugez e kishte të pamundur të realizonte qëllimin dhe priti dy muaj deri në dy javët e para të muajit prill ku mbërritën në vendin tonë edhe 4 britanikë që do ta ndihmonin në realizimin e atentatit. Shtetasit Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman janë 4 britanikët që kanë ndihmuar për të kryer vrasjen. Të gjithë të huajt sipas policisë së shtetit janë takuar me Edmond Haxhinë.
Anglezët që u strehuan në hotelin e Ardjan Nikulajt u miqësuan me familjarët. Në tre ditët e para në datat 16-17-18 prill nuk arrijnë dot të realizojnë qëllimin. Momenti final vjen në datën 19 prill. Nga vëzhgimi i imtësishëm i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes 8 orë para vrasjes.
Vrasësi me pagesë e kishte kryer misionin dhe tani detyra e tij ishte të zhdukte provat dhe te largohej nga Shqipëria. 28-vjeçari portugez pasi lëvizi pak metra me motor në një rrugë të shkurtër përgjatë lumit Drin vuri në zbatim pjesën e dytë të planit.
Sipas provave që ka grupi hetimor 28-vjeçari, pasi kishte kryer misionin e tij dhe pasi kishte zhdukur prova, ka qëndruar edhe 7 orë në vendin tonë dhe është larguar nga Shqipëria nga Kapshtica rreth orës 21:25 minuta ku kamerat e pikës se kalimit kufitar e kanë regjistruar vrasësin portugez duke kaluar kontrollin me pasaportë në dorë dhe ka hyrë në brendësi të kufirit grek si këmbësor.
Policia mundi vetëm të gjejë se kush fshihej pas vrasjes, vetëm pas dëshmisë së një vajze që kishte parë gjithçka dhe dëshmia e saj ishte prova kryesore. Ngjarja u zbardh dhe pas rreth 10 ditësh në Londër u vu në pranga organizatori dhe financuesi i vrasjes Edmond Haxhia dhe tre nga shtetasit britanikë që bashkëpunuan në krim. /Balkan Web/