Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshortja e Jamarbër Malltezit, të dy në arrest shtëpie të caktuar nga Gjykata e Posaçme që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar për dosjen hetimore të privatizimit të ish-kompleksit sportiv të klubit “Partizani”, ishte e ftuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në emisionin “Ora e Betit” te moderatores Beti Njuma në “Ora News”.
Angazhimi juaj politik, e keni mohuar, por çfarë do të bëjë Argita Malltezi?
Argita Malltezi: Sali Berisha është lideri i Partisë Demokratike. Ai do të rrëzojë nga pushteti Edi Ramën, dhe këtë ua them me plot bindje.
Nuk kam asnjë lloj aspirate për të bërë këtë lloj karriere, por nuk më ndalon të ndërmarr asnjë lloj vendimi në se duhet për të çuar përpara një angazhim politik. E vetmja gjë që më penalizon është ndoshta eksperienca që kam në prapaskenë, duke parë se çfarë angazhimi titanik kërkon qeverisja e vendit, përgjegjësia ndaj njerëzve nëse respektohen të gjithë normat ligjore.
Si i shihni rrymat në PD?
Argita Malltezi: Mendoj se çdokush ka të drejtën e opinionit politik të tij. nëse një parti politike dhunohet në masën sa i marrin në mënyrë të kundraligjshme vulën, i arrestojnë në mënyrë të paligjshme liderin e saj, i heqin në mënyrë të kundërligjshme fondet politike, kjo është një parti politike që nuk do të ngjallë dot shpresë dhe që nuk tremb askënd, ku tashmë kundërshtari dhe krimi janë shkrirë në një.
Sigurisht beteja e madhe është rrëzimi i Edi Ramës, ku nuk arrihet dot në katin e pestë pa kaluar më parë në katin e parë.