Mjeku Pëllumb Pipero prej disa ditësh ka bërë të qartë mendimin e tij se nuk ka arsye për të mbajtur ende peng futbollin dhe në të njëjtën linjë mbetet ende.
Kreu i FSHF-së, Armand Duka, nuk ka ngurruar t’i shtojë drejtpërdrejt pyetjen mbi rrezikshmërinë e futbollit atij që kohët e fundit shihet si burimi më i sigurt i informacionit në lidhje me pandeminë.
“Kush është me më shumë rrezik, lojtarët që stërviten në 10.000 metra katrorë apo sheshet me plot njerëz? Nëse virusi i dëmton ende lojtarët, atëherë të na thonë se edhe për sa kohë nuk do të luhet futboll”, i drejtohet Duka Doktor Pëllumb Piperos.
Ndërkohë ky i fundit e thotë hapur se stërvitja duhet të nisë brenda javës.
“Për mendimin tim brenda 6-7 ditësh duhet që të nisi stërvitja. Por sigurisht që me protokolle të caktuara dhe nëse ato nuk do të zbatohen, rrezikohen sëriozisht lojtarët. Një pjesë e madhe e lojtarëve janë faza moshore më pak e rrezikuar nga pandemia, prandaj futbolli duhet të nisë. Por është e vështirë të mos pështyhet në fushë”, është përgjigjur Pipero.