Gazetari Artan Hoxha, duke folur për arrestimin e Fredi Belerit, u shpreh se ai hetohej prej kohësh nga autoritetet shqiptare.
I ftuar në “News 24”, Hoxha deklaroi se njësitë antiterror kanë qenë pas Belerit për shkak se ai kishte lidhje të forta me njerëz që përfaqësonin interesa anti-shqiptare.
“Beleri nuk kandidon për herë të parë për Himarën. Beleri është dënuar për djegien e flamurit shqiptar në vitin 2003. Në vitin 2014 kthehet Beleri dhe kandidon në 2015 dhe 2019, por nuk ia del. Fredi Belerit iu mundësuan kushtet që të kandidonte sërish dhe nuk pati pengesa. Minoriteti grek në vend ka shumë intelektualë dhe njerëz të zotë, pra si është e mundur që zgjidhet një person i tillë? Ka juristë që e trajtojnë sikur është dhunim i minoriteteve. Lefter Alla i Bulqizës u largua nga detyra edhe pse nuk është shpallur ende fajtor. Në vitin 1994 Belerin e ka arrestuar Greqia kur me një grup të armatosur tentuan të sulmonin postën shqiptare. Atë e kanë akuzuar grekët, atëherë ishte një qeveri tjetër. Jo vetëm që lejuam kandidimin e Belerit, por edhe u mbështet me koalicion që ka në qendër çështjen kombëtare. Si mund të pranojnë Berisha dhe Meta për kandidimin e Belerit. Berisha dhe Meta nuk e kanë uruar Belerin për fitoren në Himarë, sepse e dinë çfarë ka bërë. Rama është njoftuar prej kohësh, autoritetet kanë hetuar prej kohësh për kandidimin e Belerit dhe tentativat e tij. Pas Belerit qëndronin interesa që cenojnë interesin territorial të Shqipërisë. Prandaj atë e ka hetuar antiterrori. Po përgatitej prej kohësh. Ai kishte pas njerëzit më anti-shqiptarë. Ishte problem i sigurisë kombëtare. Qeveria nuk u përpoq për të penguar kandidimin e tij sepse e dinin çfarë po bëhej.”