Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias nga një deklaratë nga Stokholmi ku do të mbahet takimi joformal “Gymnich” i Ministrave të Jashtëm të BE-së, foli për arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.
“Arrestimi, dy ditë para zgjedhjeve, i anëtarit të minoritetit grek, Fredis Beleris, kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë në Shqipëri, si dhe të një tjetër greku, është skandal nëse nuk ka prova të pakundërshtueshme. E kam informuar përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell për rastin si dhe ministrin e Jashtëm të Suedisë, Tobias Billstrom, i cili mban Presidencën e BE”,-tha Dendias.
Po ashtu kryediplomati grek shprehet se nëse arrestimi është bërë pa prova të pakontestueshme, rasti është skandal. Po ashtu, ai bën të ditur se ka vënë në dijeni BE-në për arrestimin e Belerit, më konkretisht përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikën e Jashtme, Josep Borrell dhe ministrin e Jashtëm të Suedisë, Tobias Billstrom.