Gazetari Artan Hoxha shprehet se Dritan Rexhepi, i cili u arrestua ditën e djeshme në Turqi, është shqiptari më i kërkuar i botës së narkotrafikut në rang global.
Në “EuroNews Weekend”, ai theksoi se Rexhepi nuk është shqiptari që ka përfituar më shumë të ardhura monetare nga trafiku i drogës, pasi sipas tij, ka të tjerë emra me më shumë peshë në këtë aktivitet.
“Dritan Rexhepi nuk ishte shqiptari më i kërkuar në Shqipëri, por shqiptari më i kërkuar në nivel global. Kjo për shkak të asaj që ai përfaqësonte. Është njeri që ka qenë disa herë në burgje, që është arratisur disa herë nga burgjet. Në të vërtetë, si imazh, si emër, si staturë, deri dje ai ka qenë shqiptari më i rëndësishëm në botën e narkotrafikut. Por si peshë, si vlerë monetare, ai nuk është shqiptari më i rëndësishëm. Ai mund të jetë shqiptari që ka ndikuar shumë në trafikun e sasive të mëdha të kokainës. Por ka të tjerë që kanë kryer tonelata të tëra me lëndë narkotike. Prandaj them unë që më i rëndësishmi është ai që nuk i përmendet emri”, tha Hoxha.