Një operacion i policisë ndjekur nga hetimet disa mujore të Prokurorisë së Tiranës ka nxjerrë në dritë se si një lokal mjaft i njohur në zonën e ish-bllokut në kryeqytet në rrugë “Vaso Pasha”, ishte kthyer në ambient të përdorimit të kokainës nga ana e klientëve.
Sipas hetimeve të kryera nga policia dhe prokuroria, skemën e drejtonte pronari i lokalit ‘de Charme’, por për të mos rënë në sy, kontaktet me klientët ja linte në dorë kamerierëve dhe banakierëve që punonin në clubin e natës. Bëhet me dije se pronari i arrestuar është Orial Peçi, 38 vjeç.
Bashkë me të, në pranga ranë edhe tre persona të tjerë: Administratori i lokalit, Arbër Alkurtaj 22 vjeç, kamerieri Albi Llangozi dhe një klient të cilët ju gjet një thikë dhe 6 fishekë. Në gjendje të lirë po hetohen edhe tre persona të tjerë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe për mbajtjen pa leje të armëve shpërthyese dhe i municionit. Veç të arrestuarve, në këtë operacion të koduar “Blloku”, u shoqëruan edhe mjaft persona të pranishëm në lokal, mes të cilëve ishte edhe Dj i njohur, Vin Veli. Ai u lirua pasi dha dëshminë në Policinë e Tiranës për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.