Lufta për titullin kampion në Premier Ligë këtë vit duket se do të mbyllet përsëri shumë shpejt, pasi Mançester Siti po krijon një diferencë të thellë nga rivalët që e ndjekin dhe duket i pakapshëm. Për të ndërtuar këtë diferencë e cila për momentin është 12 pikë nga vendi i dytë e 13 nga vendi i tretë, nuk ka kontribuuar vetëm seria e gjatë e fitoreve radhazi të skuadrës së Guardiolës, por edhe ndalesat e herëpashershme të rivalëve kryesorë.
Leisteri është mundur sot në shtëpi nga Arsenali me shifrat 3-1, duke mbetur 13 pikë larg Sitit në klasifikim. Ekipi i Brendan Roxhers kaloi në avantazh me Tielemans që në minutën e 6 të ndeshjes dhe dukej se do të bënte të vetat tre pikët në duel. Por David Luiz barazoi shifrat para fundit të pjesës së parë, ndërsa në shtesën e këtij fraksioni lojë, Lakazet shënoi golin e 2-1 me penallti. Pepe në pjesën e dytë i vuri vulën tri pikëve që ndihmojnë Arsenalin të mbajë gjallë shpresat për një vend në Europë në edicionin e ardhshëm.
Ndërkohë, Mançester Junajtid ka frenuar në një barazim pa gola përballë Çelsit, duke mos arritur që të fitojë një tjetër ndeshje ndaj një rivali në kampionat. Në 7 ndeshje të luajtura ndaj 6 ekipeve të mëdha në kampionat, Mançester Junajtid nuk ka fituar asnjë prej tyre, duke marrë vetëm 5 pikë në total, që kanë kontribuar që kjo skuadër të mbetet në vendin e dytë me 12 pikë diferencë nga rivalët e përhershëm.