Gazetari Artan Hoxha tha në emisionin “Now” se në Shqipëri ka krim të organizuar sepse nuk ka shtab, gjë që sipas tij ka anët pozitive dhe negative. Hoxha tha se e keqja qëndron te fakti se krimi shqiptar nuk arrin dot të krijojë një mega strukturë të madhe, por dhe e suksesshme për ta.
“Nëse ti godet sot në Palermo një organizatë kriminale shqiptare nga jugu i Shqipërisë, pas një muaji aty do të vijë një grup tjetër që do të vijë nga veriu i Shqipërisë, nga një qytet tjetër sepse ne nuk kemi shtab, nuk kemi kokë, nuk kemi komision, ne kemi krim horizontal,” – sqaroi gazetari.
Ai shtoi se grupin Habilaj e kishte cilësuar si grupi “Labëria” për shkak se në atë zonë operonin dhe pavarësisht se cënonin sigurinë e vendit duke fikur radarët, përsëri nuk bëhej fjalë për grupin më të rrezikshëm që vepronte në jug të Shqipërisë.