Uashingtoni dhe Pekini i kanë hyrë një lufte të ashpër tregtare me ndikim negativ në ekonominë globale. Kina i rriti këtë të premte me 41% tarifat e importit për prodhimet amerikane, duke i çuar në një nivel tepër të lartë me 125%. Vendimi pasoi rritjen e radhës nga Donald Trump të tarifave për prodhimet kineze, që të enjten prekën nivelin 145%.
Presidenti kinez Xi Jinping i bëri thirrje Bashkimit Europian, gjatë takimit me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez në Pekin për koordinim të përbashkët në kundërpërgjigjen ndaj tarifave të Shteteve të Bashkuara, për ta detyruar presidentin amerikan Donald Trump ta ndalë këtë luftë nga e cila sipas tij askush nuk do të dalë i fituar. Për Sanchez, Kina duhet parë si partner nga Bashkimi Europian.
Edhe kjo krizë duket se ka përçarë Bashkimin Europian. Kryeministri francez Fronçoise Bayrou paralajmëroi pasoja të rrezikshme nëse unioni zëvendëson SHBA me Kinën si partnere tregtare.
Megjithatë, Donald Trump e le derën e hapur për negociata edhe me Kinën, ashtu si me vendet e BE-së. Bursat botërore shënuan sërish rënie këtë të premte pas përballjes SHBA – Kinë, ndërsa dollari preku nivelin më të ulët të vlerës që prej 2022-shit.