Fshati Kurjan në Roskovec është i shokuar nga krimi i dyfishtë. Gramozi, 52 vjeç, dhe Vladimir Kurtaj, 46 vjeç kanë mbetur viktima të një grindjeje që ka nisur ditën e djeshme midis fëmijëve. Sipas dëshmive të banorëve, viktimat nuk janë kushërinj (xhaxha dhe nipi) por ata janë vëllezër, dhe njëri prej tyre (dyshohet Vladimiri) është rritur nga xhaxhai, pra vëllai i babait të tij biologjik.
Ndërsa kanë qenë në qendër të fshatit, në një lokal në pronësi të Gramoz Kurtaj, ka mbërritur për t’u sqaruar babai i njërit prej fëmijëve që ishin grindur, 49-vjeçari Altin Kuka. Edhe autori, sipas të njëjtit banor është rritur nga familja e motrës së mamasë së tij.
“Nuk e dimë si ka qenë momenti, kishin marrëdhënie shoqërore. Viktimat ishin vëllezër, por njëri nga këta ishte i adoptuar te xhaxhai, vëllezër ishin. Edhe autori është i adoptuar, baxhanaku e ka marrë të vogël e ka rritur këtu”, thotë ai. Edhe banorët e tjerë pohojnë se viktima dhe autori njiheshin me njëri tjetrin dhe qëndronin bashkë, apo konsumonin kafe.
Autori është vetëdorëzuar në komisariatin e policisë Fier, ku ka dorëzuar dhe armën e krimit. Ndërkohë, në fshatin Kurjan kanë mbërritur dhjetëra forca policie për të arrestuar edhe bashkëpunëtorët e mundshëm të autorit,si dhe për zbardhjen e shkaqeve,dhe për të shmangur një konflikt të mundshëm midis dy fiseve. Për banorët e fshatit, kjo është një ngjarje ku shkaku nuk justifikon veprimin, ndaj dhe janë të tronditur. /Top Channel/