Dyshohet se është helmuar, flet mjeku që vizitoi i pari avokatin Altin Goxhaj: Zoti qoftë me ty
Avokati Altin Goxhaj, i shtruar me urgjencë në spital, po edhe miq të tij që e kanë vizituar kohët e fundit, pretendojnë se ai mund të jetë helmuar.
Aktualisht Goxhaj gjendet në spitalin infektiv të QSUT, nën kontrollin e mjekëve, por një nga mjekët që e ka vizituar ka shprehur habi me gjendjen e avokatit.
Ilir Allkja, pretendon se është i pari që e ka vizituar dhe e ka çuar Goxhajn tek infektivi I QSUT, ndërsa shkroi në rrjetet sociale mbi gjendjen e avokatit të njohur.
“Unë isha mjeku që e kontrollova për herë të parë në të gdhirë të datës 11 nëntor avokatin, dhe e shoqërova për në urgjencën e spitalit indektiv të QSU “Nënë Tereza””, theksoi Allkja, aktiv edhe herë të tjera në rrjetet sociale, por kryesisht për çështje politike.
“Isha dhe dje tek shtrati ku po vuan sëmundjen miku im i vjetër, dhe zëri që dridhej i babait të avokatit më ka mbet në mendje. Kurrë në 26 vite punë si mjek nuk kam parë rrethanë të tillë sëmundje! Zoti qoftë me ty miku im i vjetër Altin Goxhaj!”, shkroi doktori në rrjetet sociale.
Altin Goxhaj ka qenë shumë i ashpër për çështje të caktuara, si dhe kundër mënyrës së qeverisjes, ndaj edhe ka dyshime se mund të jetë helmuar që t’i mbyllet goja, madje të afërmit e tij po shohin mundësinë që ta dërgojnë avokatin në një spital më të specializuar jashtë vendit.