Gara për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit po shkon drejt fundit. Partia Socialiste dhe Demokratike nuk kanë veçuar asnjë emër mes 26 kandidatëve.
Deri në ditët e para të dhjetorit do të duhet të kalojnë në “vettingun” parlamentar.
Ata që e fitojnë pasi gëzojnë edhe mbështetjen me 28 firma të deputetëve shkojnë për votim në seancë parlamentare.
Ndryshe nga socialistët, demokratët janë treguar zemërgjerë dhe i kanë dhënë firmën çdokujt që ua ka kërkuar.
Dy forcat e mëdha politike, PS dhe PD nuk janë deklaruar të paktën publikisht nëse mes garuesve kanë një emër të preferuar dhe për të cilin do të japin votën e tyre në parlament.
Në legjislaturën e shkuar Sali Berisha mbështeti Besim Ndregjonin ish i përndjekur politik dhe Sekretar i Përgjithshëm i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.
Ajo mbeti thjesht një shprehje vullneti pasi emri i Besim Ndregjonit dhe i gjithë kandidatëve të tjerë në garë që ishin kualifikuar për karrigen e Avokatit të Popullit nuk e kaluan provën e votimit në parlament.
Pas zgjedhjeve të 11 majit, zgjedhja e tij ishte shqetësimi më i vogël për politikën.
Situata ka ndryshuar. Partia Socialiste zotëron 83 kartonë dhe i duhet vetëm një për ta zgjedhur e vetme Avokatin e ri të Popullit.
Mes emrave të garë janë të shumtë ata që vijnë nga sistemi drejtësisë, shoqërisë civile dhe politika. Përfaqësuesi më domethënës i kësaj të fundit është Endri Shabani, që pasi nuk fitoi karrigen e deputetit kërkon atë të Avokatit të Popullit.
Në të shkuarën Avokati i Popullit kryesisht i ka takuar opozitës. E tillë është edhe Erinda Ballanca. Mandati i saj është mbyllur prej 2022-it. Ajo qëndron në detyrë pasi politikës nuk i mjaftuan tre vite për të gjetur pasuesin e saj.
