Krah mjekut Ilir Alimehmeti, deputetit Belind Këlliçi dhe ish-deputetit Gerti Bogdani, do të jetë edhe avokatja Adriana Kalaja në primaret e PD-së, ku do të dalë edhe kandidati i PD-së së Berishës për Bashkinë e Tiranës.
”Mua më pëlqen të sfidoj dhe të luftoj. Më pëlqen të luftoj për atë që është e drejtë dhe të fitoj.
Të gjithë jemi dëshmitarë të transformimit dhe përçudnimit, që Kryetari i Bashkisë Veliaj, duke ndjekur të njëjtën rrugë si ajo e shefit të tij Rama, në bashkëpunim me mafian e betonit, i kanë bërë Tiranës. Të gjithë e provojmë çdo ditë, se çfarë do të thotë të qarkullosh në Tiranë apo të parkosh. Edhe në rastet emergjente. Po kështu, të gjithë e shohim se hapësirat e gjelbra dhe terrenet sportive janë zëvendësuar me kullat shumëkatëshe, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse pastrim parash”,-tha në fjalën e saj Kalaja.
Kalaja thotë se ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, Dega Financë në vitin 1987 dhe në 2010 Fakultetin e Drejtësisë, Dega Juridik. Po kështu, ka ushtruar profesionin e mësueses në degët bazë të financës dhe ekonomisë për vitet 1998-2009.
