Gazeta amerikane “NY TIMES”, i jep jehonë reportazheve të shtypit të huaj pas zbulimeve në Greqi se telefoni celular i një politikani të lartë të opozitës dhe jo vetëm, u përgjua. Akuzat për funksionin e shërbimeve inteligjente të vendit dhe përgjimeve cilësohen në artikull, si një skandal i gjerë që tani po trondit majat e qeverisë greke me protagonist kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.
Gazeta amerikane thekson se Greqia sot është e zhytur në biseda për shantazhet, për të ashtuquajturin Watergate dhe një shtet policor sekret që përdor programe përgjimi dhe mbikëqyrjeje ligjore me më shumë se 15,000 urdhra vetëm vitin e kaluar. Pjesë e fjalorit grek është bërë programi Predator, një spyware që vendoset në telefonat celularë për përgjim.
Artikulli rikujton se babai i Mitsotakis është akuzuar se përgjonte kundërshtarët e tij politikë 30 vjet më parë kur ishte kryeministër, nënvizon faktin se i biri Kyriakos Mitsotakis kur erdhi në pushtet në 2019, morri edhe kontrollin personal të Shërbimeve të Inteligjencës duke emëruar në krye të tij një shef besnik, të cilin e pushoi pas shpërthimit të skandalit, bashkë me sekretarin e përgjithshëm të qeverisë, të cilin e kishte edhe nip. Skandali ka jehonën e ditëve të vjetra të errëta të juntës ushtarake të Greqisë.