Bekim Balaj e ka nisur në mënyrën më të mrië të mundshme sezonin e ri në Austri me skuadrën e Shturm Grac. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare fillimisht mendohej se do të largohej nga skuadra austriake, pas një edicioni me ulje-ngritje, por forma që ka treguar gjatë miqësoreve e ka bindur klubin të vazhdojë me lojtarin dhe ai ia ka shpërblyer që në minutat e parë të sezonit të ri.
Në ndeshjen e Kupës së Austrisë së luajtur sot ndaj SV Insbruk, ai ishte titullar dhe gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e katërt të sfidës. Balaj u tregua i aftë të mposhte portierin kundërshtar me një gjuajtje nga jashtë zonës që nuk i la kohë të reagonte atij, një goditje e kalibruar që i dha avantazhin skuadrës së tij që kërkon të luftojë për një vend në Europë në këtë edicion.
Në minutën e 29 të ndeshjes erdhi edhe goli i dytë personal, këtë herë me një gjuajtje që kujtonte atë të ndeshjes me Portigalinë që hyri në histori. Një gol i bukur i festuar edhe nga vetë sulmuesi që çoi rezultatin e përkohshëm në 4-0 për skuadrën e tij.
Në minutën e 86 të sfidës erdhi edhe goli i tretë personal i sulmuesit shqiptar, duke vulosur një fitore të thellë 8-0 në ndeshjen e parë zyrtare të këtij sezoni.
Gola që e ndihmojnë më shumë për të ruajtir postin e titullarit që u vu në diskutim në edicionin e kaluar, të cilin e mbylli me vetëm 6 gola të shënuar në kampionat, larg pritshmërisë që kishte klubi por edhe vetë sulmuesi kuqezi.