Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla thotë se diaspora mezi po pret të marrë fletën e votimit për të votuar PS-në. Ndërsa opozita e di se çfarë e pret më 11 maj, humbja më e madhe që ka parë ndonjëherë.
“E dini çfarë ju pret më 11 maj? Ju pret diçka që s’e keni imagjinuar në ëndrrën më të keqe. Njëri e ka parë në ’97 si ka dalë. Rezultati i 2025-ës as nuk perceptohet. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe për vëllezërit dhe motrat në diasporë. Mezi presin t’u vijë zarfi të shënojnë aty PS. Thonë tani ndihemi krenarë që jemi shqiptarë. Nuk na shohin më si qytetarë të vendeve të dorës së dytë”,-tha Balla.
Nga ana Balla shprehu mirënjohjen të gjithë atyre që e kanë bërë këtë detyrë ndaj atdheut dhe janë regjistruar. “Janë 195 mijë të konfirmuar që pritet të shkojnë në 230 mijë, që tregon dëshirën e madhe të bashkohen në vizionin Shqipëria 2030. Ne kemi shumë nevojë të kemi një shumicë të cilësuar në Kuvendin e ardhshëm pa qenë nevoja t’i lutemi atyre. PS angazhohet para popullit shqiptar që të mbyllë procesin e negociatave para 2027”.
Balla akuzoi opozitën se po mashtron shqiptarët. Më tej, Balla renditi disa nga arritjet e qeverisë socialiste në transformimin e Shqipërisë me shkolla e spitale të reja. “Shqipëria përparon. E mbaj mend kur latë pushtetin me 3 milion turistë bashkë me motra vëllezër tanë të Kosovës. Të qëllonin me automatik s’mund të bëje plazh në 2013. Shqipëria është destinacioni më i sigurt jo vetëm në Ballkan por dhe në Europë. Është një barsoletë. Vazhdoni fërkoni gjoksin se e dini çfarë ju pret”.