Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe votë për kandidatët socialistë në zgjedhjet e pjesshme që po zhvillohen sot në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë. Duke theksuar se qytetarët po votojnë për të vazhduar rrugën drejt “Shqipëria 2030” – një Shqipëri evropiane me paga dhe pensione më të larta.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa ka publikuar një foto me vajzën e tij Melani, Balla u thekson se prej mëngjesit qytetarët e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës po votojnë për kryebashkiakët e rinj për të vazhduar rrugën drejt #Shqipëria2030 me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë.
“Ne socialistët shqiptarë po mbajmë zotimin tonë në zgjedhjet e majit se ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve, pagave dhe mandati i anëtarësimit në Bashkimin Europian.”, tha Balla.
Sipas Ballës, qeveria dhe mazhoranca socialiste po zbatojnë një plan të qëndrueshëm për përmirësimin e standardit të jetesës, duke e përkthyer këtë në rezultate konkrete për qytetarët.
“Kështu pensionistët tanë, përveçse do të marrin këtë dhjetor, bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari, do të kenë një rritje tanimë të shtrirë në çdo muaj të katër viteve që kemi përpara përmbi indeksimin e përvitshëm, natyrisht.” – deklaroi Balla në postimin e tij shoqëruar me një foto me të bijën, që simbolizon të ardhmen.
Në vijim, kreu i grupit parlamentar të PS-së ftoi qytetarët që të dalin në votime dhe të mbështesin kandidatët socialistë në pesë bashkitë ku sot zhvillohet procesi:
Brunilda Mersini (Vlorë)
Ervin Ceca (Berat)
Florenc Doka (Cërrik)
Altin Bojni (Mat)
Gramoz Sako (Tepelenë)
“Prandaj ju ftoj të dilni masivisht dhe të votoni kandidatët tanë,” – përfundoi Balla, duke e shoqëruar thirrjen me mesazhin se votimi për Partinë Socialiste është votë për stabilitet, zhvillim dhe integrim europian.
