Në takimin që Kryeministrit Rama kishte me kryetarët e 15 bashkive, kryetarët e PS-së dhe kryetarët e këshillave bashkiakë të rajonit të Veriut është folur dhe për zgjedhjet e reja në strukturat e Partisë Socialiste në të gjithë vendin.
Sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla theksoi se duhet të ketë marrëdhënie korrekte mes kryetarëve të bashkive dhe atyre të degëve lokale. “Aty ku marrëdhëniet mes drejtuesve lokal janë të mira edhe rezultatet janë më të larta”, theksoi Balla.
Ai shtoi se brenda 15 shtatorit do të mblidhen të gjitha asambletë socialiste në 61 bashkitë e vendit. Kryefjala e tyre do të jetë organizimi i fushatës së zgjedhjeve të reja në strukturat e PS-së, nga organizatat që mbulojnë qendrat e votimit, deri në Kongresin e PSSH-së që është menduar të mbahet fillimvitin e ardhshëm.
Balla e vuri theksin në kujdesin që duhet treguar gjatë përzgjedhjes së kryetarëve të OS-ve, kryetarëve të këshillave socialistë të njësive administrative, delegatëve dhe kryetarëve të PS-së të bashkive. Sipas numrit dy të PS-së në asnjë rast nuk do të tolerohet zgjedhja në krye të strukturave e personave me preçedentë penal. /tirananews.al/