Ish-presidenti, Bamir Topi u shpreh se duket sikur BE-ja me qëndrimet që po mban kundrejt Ramës po jep një zhgënjim te pritshmëritë.
“Ndërkombëtarët janë duke u sjellë ndryshe sa ç’janë sjellë me gjithë politikanë e tjerë. Ndonjëherë duket sikurse e kritikojnë, sikurse e këshillojnë, pastaj struken. Edhe politika në Evropë duket si një politikë oportuniste dhe nuk është më si në fillimet e BE-së. Duket sikur BE-ja me qëndrimet që po mban kundrejt Ramës po jep një zhgënjim te pritshmëritë. Ne po shkojmë drejt BE-së, por BE na duket si një mirazh, që aq më shumë po largohet”, tha Topi për Ora News.
Topi shtoi se janë denoncuar afera, por opozita nuk duhet të ndalet këtu, por duhet një aksion i fortë politik dhe një garanci për rrëzimin e Ramës.
“Janë denoncuar afera, por nuk mbaron këtu situata. Këtë mund ta bëjë fare mirë media. Është çështja për një aksion të fortë politik, që nis me një organizim të fortë. Nuk mund të qëndrohet në pozicionet e një denoncuesi. Duhen garanci që ky pushtet të rrëzohet me votë”, tha ai.