Ish-presidenti Bamir Topi, në një emisioni për “Gjurmë” nga Edlira Prendi, ngre akuza të forta për mënyrën se si po ndërtohet në Tiranë. “Ku është historia e shkruar dhe ku është ai muze që mbart në vetvete historinë e këtij qyteti, që po shfrytëzohet barbarisht?”,–u shpreh Topi. Ai theksoi se historia e asnjë qyteti në botë nuk është shkatërruar në këtë mënyrë si në Tiranë.
”Këtu, edhe nga pikëpamja e zhvillimit funksional të qytetit, por edhe nga ajo estetike, nuk ka harmoni. Edhe kjo tregon se gjithçka, sipas mendimit tim, nuk është bërë mbi bazën e mendimit të specialistëve, por mbi bazën e vendimeve të një njeriu. Kuptoni ç’do të thotë një njeri që merr një laps, një letër dhe dizenjon qytetin e brezave, duke shkatërruar qytetin e disa brezave të tjerë? Kjo është shumë e rëndë”,-deklaroi Bamir Topi.
Në “Gjurmë”, ish-presidenti vuri në dukje edhe një nga problemet kryesore të kryeqytetit: trafikun.
“Pyetja ime do të ishte kjo: Ku është historia? Dhe e dyta: Ku janë rrugët? Sepse të projektosh një qytet me mbi një milion banorë mbi infrastrukturën e një qyteti për pesëdhjetë mijë banorë do të thotë që jo vetëm nuk ke asnjë ide për historinë, por kërkon vetëm interesat e qendrës së Tiranës dhe nuk mendon për atë që do të vijë më pas.
Futu në Tiranë dhe je i bllokuar në çdo moment. Dhe për të kuptuar sa e bllokuar është Tirana në brendësi, mjafton të shohësh rezultatin e unazës së re të Tiranës. Njeriu, kur futet në unazë, mund të përshkojë një segment, një kilometër, jashtëzakonisht shpejt, por kur vjen koha për të dalë, nuk del dot. Miqtë e mi fillimisht kanë qeshur kur ua kam thënë. Pastaj e kuptuan që vërtet ishte ashtu. U thashë: përpara se të merrni një urbanist, një arkitekt, një qytetar që e njeh mirë, merrni një kardiolog. Sepse kardiologu e di shumë mirë se ç’do të thotë si funksionon sistemi i qarkullimit të gjakut.
E keni parasysh ju, kur kanë probleme me ngushtimin e venave nga kolesteroli, u thonë: ose stendë, ose bypass pra, hapet rruga. Ndërsa këtu ndërtohet një rrugë, mendohet se do të zgjidhet problemi, por në fakt ngarkesa bëhet edhe më e madhe. Një paradoks’‘,-shpjegoi ish-presidenti Topi.
