Nga foltorja e Kuvendit, deputeti demokrat Gazmend Bardhi sulmoi kryeprokurorin Olsian Çelën, duke i kujtuar atij një dosje të bujshme. Bëhet fjalë për dosjen nr. 335/1, laboratorin e kokainës në Xibrakë.
Në fjalën e marrë gjatë seancës plenare, kreu i grupit parlamentar të PD-së u shpreh se: “Prokurori i Përgjithshëm ka marrë bekimin e mazhorancës, vetëm pasi provoi se është besnik i familjes kryeministrore dhe hodhi në erë një dosje të tërë, duke veçuar procedimin me nr. 335/1 dhe duke shpallur të paidentifikuar atë që e identifikon lehtësisht çdo qytetar në rrugë, por që për Prokurorin e Përgjithshëm, asokohe prokuror i çështjes, mbetet edhe sot e kësaj dite si ‘personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurta’, apo ‘përdorues i automjetit me targa AA653DM’”.