Lulzim Basha thotë se angazhimin për të luftuar korrupsionin dhe për të krijuar një ekonomi më të qëndrueshme dhe të zhvilluar për Shqipërinë. ”Korrupsioni është pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik dhe një njollë të zezë në reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Ky fenomen e ka bërë ekonominë të kontrollohet nga një grusht individësh dhe që, për më tepër, ka dëmtuar bizneset e vogla dhe profesionistët.
Në momentin që drejtësia fillon e bën punën e saj, problemi i tranzicionit politik kthehet në një problem të mprehtë personal për drejtues të cilët kanë abuzuar kaq gjatë dhe kaq thellë me pushtetin. Thënë ndryshe, për Ramën kjo nuk është thjesht çështje e daljes në opozitë, apo e dorëzimit paqësor të pushtetit, është çështje e llogaridhënies para drejtësisë”, tha ai.
Për të një nga objektivat kryesore të Koalicionit Euroatlantik është forcimi i SPAK dhe mbështetja e tij për të luftuar korrupsionin deri në fund, për të siguruar barazi para ligjit. Basha përmendi themelimin e Njësisë së Rikuperimit të Pasurive të Vjedhura, me qëllim rikthimin e pasurive të vjedhura në shërbim të qytetarëve shqiptarë.
”Vetting-u i politikanëve dhe heqja e imunitetit për ata që janë të përfshirë në korrupsion, si masë shtesë. Themelimi i Njësisë së Rikuperimit të Pasurive të Vjedhura, me qëllim rikthimin e pasurive të vjedhura në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Ne kemi folur edhe para zgjedhjeve me vepra, jo me fjalë. Ne kemi çuar në Kuvend paketën tonë të ardhjes në ndihmë të SPAK, sipas kërkesave të tij më shumë fonde, burime njerëzore dhe infrastrukturë ligjore. Kemi çuar në Parlament Vetting-un e politikanëve, sepse shqiptarët e dinë që shumica e politikanëve janë aty për t’i shërbyer interesave të ngushta personale”,-tha më tej Basha.