Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një letër dërguar prokurorisë thotë se do të paraqitet para organit të akuzës, vetëm kur sipas tij kjo e fundit të zbatojë me përpikmëri ligjin.
Bashkë me dy drejtues të tjerë të PD-së, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin, Basha duhet të paraqitet sot në Prokurori, por e ka quajtur këtë në shkelje të ligjit.
Në njoftimin e prokurorisë së datës 12 Qershor nuk është zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve qe kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye, Kryetari i PD i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit. “Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”- shprehet në letrën e tij Kryetari i PD, Lulzim Basha.
Ai e mbyll letrën duke theksuar se “duke kërkuar gatishmërinë time për të zbatusr ligjin, kërkoj nga prokuroria, që të bëjë të njëjtën gjë. Në keto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës oër paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”