Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbylli turin e takimeve në Kosovë me nënkryetarin e LDK, Agim Veliu dhe kreun e PDK, Kadri Veseli. Basha garantoi Veliun, se Partia Demokratike do të mbështesë gjjithmonë aspiratat e popullit të Kosovës, për lëvizjen e lirë. Gjithashtu kryedemokrati u shpreh, se trashëgimia e presidentit Ibrahim Rugova do të jetë udhërrëfyese në investimin e Kosovës dhe ndërkombëtarëve për njohjen reciproke me Serbinë.
Postimi i plotë
Në selinë e Partisë sonë simotër, Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkëbisedova me Nënkryetarin e kësaj partie, njëherësh Ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës, zotin Agim Veliu. Kam besim se investimi 30 vjeçar i LDK-së, si shtyllë e stabilitetit politik në Kosovë, do të përkthehet sërish në bashkëpunim me forcat e tjera politike, për të arritur objektivat e përbashkët në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Diskutuam për situatën politike dhe ekonomike të Kosovës, ku shpreha bindjen se trashëgimia e Presidentit Ibrahim Rugova, do të jetë udhërrëfyese në udhëheqjen me sukses të një investimi të përbashkët të institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, për të arritur në finalen e dialogut me Serbinë: Njohjen reciproke midis dy vendeve. Uroj dhe shpresoj që sa më parë të plotësohet aspirata e qytetarëve të Kosovës për lëvizjen e lirë në Bashkimin Europian, ndërsa e garantova zotin Veliu, se unë dhe PD jemi të gatshëm të japim kontributin tonë, kudo dhe kurdo që të jetë e nevojshme. Fatkeqësisht, për shkak të gjendjes shëndetësore, ishte e pamundur të takoja Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, të cilit i uroj shërim sa më të shpejtë.
Ndërsa gjatë takimit me kreun e PDK Kadri Veseli, Basha i doli në krah këtij të fundit, duke thënë se anjë akuzë ndaj komandantëve apo ushtarëve të UÇK, nuk mund ta njollosë luftën e për liri dhe pavarësi, ndërsa shprehur bindjen se drejtësia do të triumfojë. Përsa i përket dialogut, Basha dhe Veseli ndanë të njëjtin qëndrim, se është rruga e vetme për të çuar përpara njohjen e ndërsjellë.
Pata kënaqësinë të bisedoj gjatë pasdites me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, zotin Kadri Veseli, për zhvillimet në Kosovë, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por dhe për aktakuzën e ngritur ndaj tij. Asnjë akuzë ndaj komandantëve apo ushtarëve të UÇK-së, nuk mund ta njollosë luftën për liri dhe pavarësi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kosova ishte viktima dhe jo agresori. E megjithatë, të gjithë të akuzuarit nga ana e viktimës, i janë përgjigjur thirrjeve të drejtësisë, ndërsa agresori ende nuk është përgjigjur për krimet, vrasjet, përdhunimet dhe genocidin e ushtruar ndaj popullit të Kosovës. Edhe kësaj here jam i bindur se drejtësia do të triumfojë, dhe Kosova do të vazhdojë të konsolidohet si shtet i pavarur, i zhvilluar dhe i integruar në strukturat euroatlantike. Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ndamë të njëjtin qëndrim me z.Veseli se dialogu është rruga e duhur për të çuar në procesin e njohjes së ndërsjelltë mes dy vendeve. Kam bindjen se udhëheqësit politikë dhe institucionalë të Kosovës do të arrijnë me maturinë, guximin dhe pjekurinë e treguar deri më sot, të përballen me sfidat që ka përpara Kosova, qoftë ato që lidhen me dialogun, politikën e brendshme, çështjet ekonomike apo dhe proceset integruese të Kosovës.
Gjatë ditës së sotme Basha u takua me figura të rëndësishme të politikës në Kosovë. Basha nisi takimet me kryeministrin Avdullah Hoti, për të vazhduar më pas me presidentin Hashim Thaçi, kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe drejtues të partive më të mëdha në vend.