Bashkëshorti i të madhes Vaçe Zela, Pjetër Rodiqi ka kujtuar momentin e dashurisë së tij në emisionin “Soiree” në Top Channel. Më 7 prill, nëse këngëtarja do të ishte gjallë do të festonte 80-vjetorin e lindjes.
“Unë kam kryer shërbimin ushtarak në Lushnje dhe kënaqësia e vetme ishin ato shëtitjet që bënim dhe në të njejtën kohë e vetmja qendër ishte Shtëpia e Kulturës. Nuk e dija as kush ishte Vaçja, as që ekzistonte. Unë e njoha duke luajt bilardo, kur edhe sot e kësaj dite nuk di të kem lozur ndonjëherë bilardo”, – tregoi Pjetër Rodiqi.
“Aty nisi ndjenja jonë. Shiko, Vaçja sa ç’qe këngëtare e mirë, aq ishte edhe e zgjuar. Ishte inteligjente me plot kuptimin e fjalës. Sa e madhe dhe e zgjuar. Më tërhoqi me intelektin e saj. Ne ishim të rinj atë kohë dhe kishim interes për letërsi, poezi e kështu gjërash”, – shtoi bashkëshorti i këngëtares.
I pyetur nëse ka qenë jeta e lehtë apo e vështirë me Vaçen, Pjetri përgjigjet: “Shiko, ka qenë e vështirë në kuptimin që Vaçja u bë e njohur pasi u njohëm ne. Unë deri vonë e kam pasur besdi që më thonin ‘burri Vaçes’… ndërsa tani, prezantohem ‘bashkëshorti i Vaçe Zelës’”.
“Sa e madhe ishte aq edhe e thjeshtë!”. – ka përfunduar Pjetër Rodiqi, bashkëshort i Vaçe Zelës./ TCH