Të paktën 50 banorë të fshatrave Gërman, Muzhakë, Frankth, Midhë, Batër e Madhe e Batër e Vogël kanë protestuar në mbledhjen e këshillit bashkiak Mat. Shkak për këtë u bë lajmin se këshilli do të jepte leje për ndërtimin e një guroreje rrëzë malit të Qafë Shtamës.
Banorë të zonës dhe këshilltarë që morën fjalën kritikuan administratën e bashkisë se nuk kishte siguruar informacionin e mjaftueshëm për të sqaruar banorët e këtushëm. Disa nga këshilltarët u shprehën në mënyrë ultimative, duke theksuar se subjektit që kërkonte ndërtimin e një punishtje që prodhonte mermer, t’i jepej përgjigje negative për kërkesën e bërë. Të tjerë këshilltarë nënvizuan se duhej siguruar informacion më i plotë rreth kërkesës së subjektit që kishte siguruar leje ndërtimi, mjedisore etj, për 5 dynym tokë në Qafë Shtamë.
Vetëm pas mbledhjes u kuptua se bashkia Mat dhe këshilli bashkiak nuk dinin se për çfarë u diskutua. Çështja ishte krejt ndryshe. Para disa muajsh firma “Babasi Co” (ish-administrator figuron ish-deputeti i PD-së Ndriçim Babasi) kishte kërkuar leje për ngritjen e një guroreje, madje në një sipërfaqe 250 hektarë. Kjo kishte krijuar frikë e panik tek banorët se furrat e gëlqeres së Fushë Krujës mund të mbërrinin në territorin e Komsisë.
Ndoshta në mbledhjen e radhës bashkiakët e Matit do të jenë më të qartë me qytetarët e Komsisë dhe me subjektet që kërkojnë të investojnë në këto zone.
![](https://tirananews.al/wp-content/uploads/2019/04/1-23.jpg)
![](https://tirananews.al/wp-content/uploads/2019/04/2-1-3.jpg)