Bashkia e Korçës i është përgjigjur revoltës së këngëtarëve shqiptarë të cilët deklaruan publikisht bojkotimin e koncertit që pritet të mbahet për Festën e Birrës në Korçë, pjesë e të cilit do të jetë serbi Goran Bregoviç. Në një prononcim për mediat Bashkia e Korçës, e cila është organizatorja e Festës së Birrës, ka deklaruar se këngëtarët propozohen nga një kompani që merret po ashtu me organizimin e festës, por aprovimi apo jo i tyre, i takon Bashkisë.
Larisa Katundi, nga zyra për media e Bashkisë së Korçës shtoi se megjithëse nga organizatorët tashmë është bërë e ditur se Bregoviç pritet të jetë në Korçë, nuk e di ende nëse është konfirmuar pjesëmarrja e tij.
E pyetur nëse Bashkia e Korçës është në dijeni për reagimet që janë bërë në Kosovë pas lajmit se Bregoviç pritet të këndojë në Korçë, Katundi tha se kjo nuk është hera e parë që ai vjen në Shqipëri. Ajo deklaroi se kjo çështje po trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, pasi sipas saj, Festa e Birrës nuk ka lidhje me politikën dhe s’ka lidhje me respektimin e politikave.
“Bashkia është organizatorja e festës së birrës, pjesa e kontraktimit të këngëtarëve është një marrëveshje që kemi me një kompani e cila na sugjeron se cilët këngëtarë mund të marrim. Patjetër, aprovimi kalon nga Bashkia, por këngëtarët propozohen, pra pjesa e organizimit të shoë-it, propozohet nga një kompani e kontraktuar. Ne faktikisht akoma nuk e kemi promovuar dhe nuk kemi nxjerrë materiale promocionale sa i takon kësaj pike. Nuk e kemi aprovuar akoma. Varet prej nesh. Nuk e di të them të drejtën, sepse organizatorët e festës e dinë këtë gjë dhe normalisht duhet pyetur ata që e menaxhojnë festën, unë merrem vetëm me pjesën e promocionit, kështu që nuk e di, akoma nuk na kanë dhënë ndonjë sinjal nëse do të jetë apo jo. I kam lexuar portalet dhe e di që në fakt është kontestuar dhe është diskutuar shumë kjo pjesë. Por nuk është hera e parë që ai vjen, sepse ai ka bërë dhe një koncert në vitin 2006 në Tiranë, kështu që nuk është hera e parë që ai po vjen në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri por në gjithë botën ka qenë. E di që është kontestuar kjo, e di që është diskutuar, por besoj se trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, në fund të fundit Festa e Birrës është një festë që nuk ka lidhje me politikën, është art dhe nuk është se ka lidhje me respektimin e politikave”, ka deklaruar Katundi.
Pjesëmarrja e këngëtarit serb në këtë festë ka sjellë revolta të shumë këngëtarëve e moderatorëve shqiptarëve. Njëri pas tjetrit, Eva Murati, Vesa Luma, Big Basta e Besa Kokëdhima e cilësuan një turp prezencën e Bregoviç në Korçë. Këngëtari është cilësuar si frymëzim i ushtrisë serbe për masakrat në Kosovë, me këngën e tij “Kallashnikov”.