Një javë pasi plazhi i Velipojës u mbulua nga mbeturinat urbane, autoritetet lokale kanë nisur aksionin për pastrimin e vijës bregdetare.
Pasi u mbyllën të gjitha ditët e pushimit zyrtar, punonjës të bashkisë zbritën këtë të martë në terren për t’u angazhuar në pastrimin e plazhit. Për këtë punë u përdorën edhe tri fadroma për të larguar mbetjet që u nxorrën nga uji pas reshjeve të dendura.
Mësohet se mbetjet do të depozitohen në landfillin e Bushatit. Ndërkohë, në këtë zonë pritet të zhvillohet edhe një aksion tjetër i madh pastrimi më 10 dhjetor, ku do të marrin pjesë vullnetarë dhe organizata mjedisore.
Kjo situatë katastrofike u krijua pasi prurjet e shumta nxorrën në breg tonelata mbetjesh të hedhura pa kriter nga qytetarë dhe biznese përgjatë lumenjve dhe përrenjve.
