Kryeministri në ikje i Kosovës, Ramush Haradinaj foli për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por jo me çmimin e ndarjes së Kosovës.
Teksa ishte i ftuar në studion e Fax news, Haradianaj deklaroi se nuk është kundër këtij bashkimi, por sipas tij copëtimi i Kosovës do të shkaktonte luftëra.
“Unë nuk jam kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por nuk jam me një bashkim që ka si kusht ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, kjo do të ishte tragjike, do të shkaktonte edhe luftëra. Mogherini ka lëvizur me deklaratat e saj në vazhdimësi ka qenë e lëkundur. Nuk mundet dikush të na dëmtojë pa vullnetin tonë sepse jemi i njëjti gjak, kam ardhur në Shqipëri dhe kam shkuar kudo ku ka shqiptarë dhe i kam sqaruar për qëndrimin tim, në media, në takime.
I qëndroj asaj që kam thënë, Veriu i Kosovës është zona e tretë më e pasur në Europë dhe e pesta në gjithë rruzullin tokësor. Me çmimet e sotme të tregut miliarda dollar, 10 miliardë euro kishte fituar Serbia me ndarjen e Kosovës me vetëdije dhe përfituesi do të ishte vendi më kundërshtar ndaj nesh. Ta dije çdo shqiptar në glob se kjo është e vërteta e Kosovës. Për këtë arsye është bërë gati shkatërrimi i Jugosllavisë. Trepça është Kosovë 100%. Ua kemi prishur matematikat e pista, ligjet e para që kemi bërë janë ligjet e ushtrisë, që është mbrojtje e territorit dhe e drejta me luftu. E kemi ndarë tregun prej tyre. Këto veprime janë themele kundër ndarjes së Kosovës”, tha Haradinaj.
