Bashkimi Evropian i kërkon sërish Kosovës të heq dorë nga taksa 100% ndaj mallrave serbë, në mënyrë që të vijojë dialogu me Serbinë.
Ka qenë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijancic e cila ka folur për gazetën “Zëri”, duke thënë se Brukseli pret të hiqet taksa.
Ajo ka thënë se qëndrimi i BE-së sa i takon taksës mbetet po ai që ka qenë, kundër masës së vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Sipas saj, BE-ja pret që Serbia e Kosova të angazhohen në procesin e dialogut, në mënyrë që të shkohet drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Ndërkaq, procesi i bisedimeve me Serbinë po vazhdon të jetë i pezulluar, pasi Serbia tashmë ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në dialog deri në heqjen e tarifës. Por Qeveria e Kosovës, as pas presionit të ardhur nga ndërkombëtarët, nuk po zmbrapset nga vendimi i marrë më 21 nëntor 2018 për vendosjen e taksës në fjalë.
BE i kërkon Kosovës të heqë taksën ndaj Serbisë