Një djalë i ri me pasion për grimin, ka shfaqur talentin e tij teksa ka qenë i ftuar në emisionin “Rudina”. Dario Doka tha se pasioni i tij nisi fillimisht pasi kishte dorë për pikturë, dhe pikturonte portrete. Më tej ai nisi të grimonte veten e më pas të tjerët.
“Kisha dorë për pikturë, bëja fytyra njerëzish dhe pikturën e ktheva në pasion për make-up, dhe pashë që kisha dorë. U bë gati një vit që kam nisur të bëj grim në fytyrën time, dhe 2-3 muaj që ia kam marrë dorën te të tjerët”.
Po kështu ai shtoi se ka qenë model, dhe e ka pasion të madh grimin, ndaj dhe dëshiron që tani ta kthejë edhe në profesion.
I pyetur a është ndjerë i paragjykuar ndonjëherë, Dario tha se paragjykimet nuk mungojnë as për njerëzit e thjeshtë.
“Nga njerëz fals në Instagram, jam ndjerë i paragjykuar. Por kam guximin, eci para si thonë, një sy qorr e një vesh shurdh. Të gjithë njerëzit gjykohen, edhe ata pa make up që janë njerëz të thjeshtë”.
Sa i përket marrëdhënies me prindërit, Daroi tregoi edhe momentin kur e ëma mësoi pasionin e tij. Ndonëse ajo e ka mbështetur, ende ekziston frika se si mund ta presin të tjerët. Ndaj ajo e ka këshilluar që të mos dalë në rrugë i grimuar.
“Me prindërit kam marrëdhënie shumë të mira, prindërit i kam jashtë. Mamin në Zvicër, babin është ndarë nga mami. Mami më ka pranuar gjithmonë, thjesht më ka thënë kujdes me njerëzit dhe bëj atë që ti ndjek e atë që ti do. Kur pa videot më tha: Çfarë je duke bërë, bëje grimin dhe fshije mos e nxirr në Instagram”, tha ai.