Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko i ka bërë edhe një herë thirrje Berishës që të mos i mbajë peng demokratët, ndërsa e ka konsideruar aleancën e tij me Ilir Metën si tradhti historike.
“Ne jemi këtu sot, unë jam në këtë garë pikërisht për të shpëtuar nderin dhe historinë e Partisë Demokratike që mos të rrëshqasë në duart e një autokrati lindor dhe në dorën e një grabitqari politik si socialisti Ilir Meta, të cilin Sali Berisha e ka futur në mënyrë të pabesë në gjirin e demokratëve, që ai votat e tyre ti marrë dhe t’i çojë nesër te pazari i radhës me Edi Ramën. Kjo është një tradhti historike, një thikë mbas shpine që i ka futur demokratëve dhe të djathtës Sali Berisha. Kjo është pabesia më e madhe politike që i ka bërë atyre demokratëve të ndershëm, që janë të gjithë miqtë dhe shokë tanë. Por ne, kurrsesi nuk mund t’ia jepnin këtë kënaqësi. Ne jemi këtu, pikërisht për të ndalur këtë pabesi. Ne jemi këtu, për ti thënë të gjithë shokëve tanë demokratë që kjo është partia e tyre, Partia Demokratike është shtëpia e tyre dhe jo Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës.”
“Unë e shikoj politikën si mision dhe jo si përfitim. Jam një idealist i pandreqshëm, siç më thotë një miku im. Si mund të pranonim një ‘non grata’ nga Perëndimi. Si mund të pranonim ne që demokratët të përfaqësoheshin nga një socialist si Ilir Meta. Ne nuk mund ta pranonin këtë poshtërim. Grabitqarin politik Ilir Meta, Sali Berisha e ka futur në gjirin e demokratëve. Kjo është tradhti historike, një thikë pas shpine që i kë futur demokratëve dhe Shqipërisë Sali Berisha. Hiqni dorë nga sulmet mbi Partinë Demokratike. Hiqni dorë nga pengimi i PD në misionin e saj për integrimin e Shqipërisë. Sali Berisha hiqi duart dhe lëri demokratët të fitojnë. PD nuk është pronë e juaja. Sali Berisha, e djathta shqiptare nuk ka lindur me ju dhe nuk ka për t’u shkatërruar nga ju. Jep dorëheqjen, i je futur një rruge të pashpresë dhe kërkon të futesh në këtë rrugë gjithë Shqipërinë.”