Shkrimtari Ben Blushi ishte këtë të diel në “Interview nga Mirela Milori” ku ka folur për dy nga pasionet e tij, shkrimin dhe fiksimin e momenteve me aparatin fotografik.
Libri i tij “Komploti” i botuar një vit më parë, u pa si një profeci për ngjarjet që do të ndodhnin në Shqipëri vetëm pak kohë më pas, ku u publikua marrëveshja për emigrantët mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe asaj italiane, Georgia Meloni.
Kjo marrëveshje flet për ndërtimin e kampit të emigrantëve në Shëngjin, e në të njëjtin vend me personazhe afganët zhvillohen ngjarjet e romanit “Komploti”.
Vetë shkrimtari thotë se kjo ka qenë një rastësi, por sipas tij edhe kjo rastësi nuk ka lindur nga hici duke parë se si po zhvillohet bota.
“Shumë njerëz më pyetën nga e dija. Unë nuk kisha asnjë informacion. Ishte thjesht një koicidencë, por ishte një koincidencë që nuk lindi nga hiçi. Me apo pa Shëngjin, për shkak se demografia jonë është duke rënë, jam i bindur që në 10-15-20 vite ne do kemi prurje demografike. Po mund të vijnë suedez pensionist, norvegjez në pension, italianë të jugut mund të vijnë edhe afganë edhe sirianë, bangladeshas, indianë, kinezë.
Mund të vijnë popuj nga vende që kanë shumë probleme ekonomike e sociale. Këta mund të vijnë në Shqipëri, ku ka nevojë për fuqi punëtore ku ka 300 ditë diell, ku ka një klimë biznesi. Me ne mund të ndodh ajo që ka ndodhur në shumë popuj që për 20-30 vjet popullsia e Shqipërisë mund të zbresë e të ketë shumë të huaj. E nëse më pyet se si e parashikova, kjo është e qartë… Është si të dalësh në mëngjes dhe të shikosh qiellin, ka apo s’ka re, po pati re do marrësh çadrën. Kështu është edhe kjo”,-tha Blushi.
Ai ka zbuluar gjithashtu se pasioni për fotografinë, i shpalosur edhe në librin me intervista “41 Sekrete” ku çdo bisedë shoqërohet nga një fotografi e shkrepur prej tij e realizuar bardhë e zi.
“Pasioni për fotografinë, është një gjë që ndoshta më lindi duke punuar në televizion. Unë 7-8 vitet e fundit kam punuar në televizione dhe më ka lindur interesi për të bërë fotografi. Unë kam rreth 5000 foto”,-tha ai. Më tej Ben Blushi tha se në projektet e ardhshme është edhe bërja e një ekspozite me fotot e shkrepura prej tij, të gjitha bardhë e zi.