Dy bashkëshortët Festim dhe Elida Selika janë rrahur me sende të forta në banesën e tyre nga 3 persona që kishin shkuar për një sqarim.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjeroven të Njësisë Administrative Velabisht, në Berat, në sy të dy fëmijëve të mitur 4 dhe 3 vjeç. Pak përpara se tre personat të shkonin në banesën e familjes Selika, e kanë parë kryefamiljarin Festim Selika duke pirë kafe në një lokal në fshatin Velabisht me nipin e tij, me të cilin ata kanë pasur një konflikt të mëparshëm. Duket se kjo kafe ka qenë edhe sebepi i sherrit që ka ndodhur në banesën e çiftit Selika ku 3 personat, njëri prej të cilëve bashkëfshatrari i tyre, i kanë kërkuar llogari Festimit se pse po pinte kafe me personin që ata ishin në konflikt.
Në debat e sipër ata kanë qëlluar disa herë në kokë Festimin, i cili ka rënë pa ndjenja. Pasi ka ndërhyrë gruaja e tij, Elida ata e kanë goditur edhe atë me gur në kokë dhe pasi e kanë përplasur disa herë në mur, e kanë qëlluar me shkelma e grushta në trup.
Pasi 3 agresorët janë larguar, Elida ka njoftuar policinë dhe çifti është dërguar me hematoma të shumta në Spitalin Rajonal të Beratit. Gruaja ka marrë 3 çarje të thella në kokë dhe plagë të shumta në trup,ndërkohë që bashkëshorti i saj është në gjendje më të mirë shëndetësore. Duke treguar të gjithë ngjarjen që terrorizoi edhe 2 fëmijët e tyre,çifti Selika kërkon nga shteti që përgjegjësit e këtij agresioni të vihen përballë drejtësisë,pasi ata pohojnë se agresorët e tyre nuk janë arrestuar dhe kjo i bën të ndihen më të kërcënuar për jetë.
Mjeku kirurg në Spitalin Rajonal të Beratit, Piro Leka, ka konfirmuar se çifti ka shenja dhune në trup, por më e dëmtuara nga goditjet e marra është gruaja Elida, e cila ka marrë goditje të rënda në kokë e në trup.
Në lidhje me këtë ngjarje, burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat konfirmojnë se një nga agresorët është arrestuar dhe dy të tjerët po hetohen në gjendje të lirë.