Sali Berisha në një takim me banorë të kryeqytetit, premton ulje të çmimit të energjisë elektrike. Kreu i PD-së, tha se taksa që merr qeveria në 1 litër naftë është absurde.
“Shqipëria energjinë pa asnjë lloj humbjeje mund t’ia shesë qytetarëve me 7 lekë. Ne do e ulim në 7 lekë kilovatin. Ne do ta ulim për biznesin në 6 lekë energjinë. Nafta. Shumë mund të thonë, po ç’na duhet ne nafta. Ata që kanë vetura, por edhe ata që nuk kanë vetura paguajnë.
Sepse ata paguajnë biletat e udhëtimit kudo që shkojnë me çmimin e naftës. Sepse ata paguajnë çmimin e të gjitha mallrave që blejnë, transportin, me çmim të lartë nafte. Nafta në Shqipëri shitet 40-50% më shtrenjtë se në Kosovë. Ndërkohë, nafta në Kosovë vjen nga Durrësi. Shkon nga Durrësi në Kosovë, atje shitet 40% më lirë.
Pse? Ua them unë pse. Sepse taksa që merr qeveria në 1 litër naftë është absurde, merr 1.1 euro. Ndërsa, çdo njeri që blen 1 litër naftë, qeveria i ka grabitur 1.1 euro taksë. Jo, ne do t’i përgjysmojnë këto. Se kush e paguan këtë? Qytetarët e paguajnë. Se ai që e shet, ai nuk paguan gjë. Ai përkundrazi, shet dhe kaq. Kështu që ne, do i përgjysmojmë këto taksa dhe shqiptarët do blejnë naftën me ato çmime, plus minus 10% që e blejnë maqedonasit, kosovarët, malazezët, dhe absolutisht asnjë qindarkë më shumë. Do përpiqemi të lehtësojmë barrën mbi njerëzit”, tha Berisha.