Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, konferencës së sotme me gazetarët, bëri të ditur se, ditën e premte opozita mbledh tryezën e aleatëve për të marrë vendimet për ecurinë e mëtejshme të protestave.
“Opozita pa asnjë diskutim do të ketë protesta ndër më të fuqishmet. Opozita thërret ditën e premte tryezën e të gjitha forcave politike dhe faktorëve influentë në shoqërinë shqiptare për të krijuar një bashkërendim, një front të gjerë kundër narko-regjimit të Edi Ramës dhe për të ndërmarrë të gjitha lëvizjet, protestat, demonstratat, revoltat e domosdoshme për largimin e tij një minutë e më parë”, tha Berisha.
Berisha iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve për emrat që qarkullojnë si propozime për kryeministra të qeverisë teknike, ku theksoi se nuk diskutohet asnjë emër.
“Partia Demokratike insiston dhe do të insistojë për një qeveri teknike për përgatitjen e një procesi të drejtë zgjedhor. Partia Demokratike nuk avancon as edhe një emër, pa u arritur marrëveshja për qeverinë teknike. Pasi të arrihet marrëveshja për qeverinë teknike, pa diskutim PD do të avancojë, ose do të paraqesë propozimet e veta, krahas forcave të tjera politike”, tha Berisha.
