Kreu i PD, Sali Berisha hodhi poshtë dosjen e SPAK për akuzën ndaj Jamarbër Malltezit, dhëndrit të tij ku, thuhet se ka përfituar 5.4 milionë Euro nga privatizmi i ish-kompleksit Partizani.
I ftuar në emisionin Opinion, tha se dhëndri i tij, si një nga trashëgimtarët e asaj prone, kur u krye investimi dhe ndërtimi i pallateve, hyri në biznes jo vetëm me 113 metra katrorë si përfitues, por me 1250 m2 pasi kishte blerë edhe toka të tjera në të njëjtin vend nga kushërinjtë e tij përfitues.
Më pas, sipas Berishës, kanë shitur apartamente në gropë me çmim më të ulët.
“Abi Malltezi ka përfituar nga privatizimi 113 m2. Ka blerë nga kushërinjtë e vetë dhe ka arritur 1250 metra katrorë. Fatmir Bektashi, ndërtues prej shumë vitesh, edhe ai është edhe pronar.
Abi Malltezi është futur me 1250 m2, ka vendosur 60 mijë Euro, siç e thotë vetë Fatmir Bektashi, 3 ortakët ranë dakord që të shesin në gropë. Ata kanë shitur me 650, 730 Euro, në një kohë kur 100 metra më tutje sishiten 960 Euro metri.
Në dosjen e SPAK-ut janë 500 kontrata që dëshmojë shitjen në gropë. Janë të gjitha faturat pagesave bankare të atyre që kanë blerë apartamente në themel. SPAK-u e ka fshehur këtë. Pse e fshehu SPAK? Vetëm për të nxjerrë Jamabër Malltezin për të mashtruar publikun. Në qoftë se ti thua se ky hyri me 100 metra dhe doli me 5 milionë bën një mashtirm monstruoz. Se ky nuk hyri me 100 metra por me 1250 metra. Ja u bleu kushërinjve.
SPAK-u e di që nuk qëndrojnë, sepse janë të gjitha faturat bankare, e gjithë planimetria që ky ka blerë parcelat. SPAK ka mbi 500 fatura”, deklaroi Sali Berisha.
Ai sqaron se ndryshimi i destinacionit nga “sportive” në “zonë banimi” u bë nga Edi Rama në cilësinë e kryebashkiakut”.
“Kur është zbatuar ai plan, Edi Rama kishte ndërruar destinacionin, jo vetëm të sport klubit, por edhe të pjesës tjetër të klubit dhe sa për dijeninë tuaj, merreni këtu Shalsin, i dërguari i Edi Ramës shkonte dhe bënte konsultat”, u shpreh Berisha.
