Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi zbulon se po bëhen negociata që të gjitha kampet brenda të djathtës, të mblidhen në një, edhe ne pjesën tjetër të aksionit opozitar “Të gjithë deputetët që janë të vendosur për të bërë opozitë, janë bashkë në parlament, janë duke koordinuar aksionin e tyre parlamentar. Ky bashkim do të duhet të shtrihet edhe në aksionin tonë politik jashtë parlamentit për të cilin ne po punojmë”, thotë Bardhi.
Idenë e bashkimit e hodhën disa muaj më parë, partitë aleate, me atë që e quajtën federatë opozitare, për të cilën gjithashtu shpejt, Bardhi paralajmëron të ketë zhvillime. “Opozita ka nevojë për një koalicion të gjerë politik opozitar që të ketë brenda çdo faktor opozitar dhe gjithë aksioni i opozitës të jetë i koordinuar nga një trupë ku përfaqësohen të gjitha partitë politike opozitare. Edhe në këtë drejtim është duke u punuar”, tha Bardhi për ”Report Tv”.
Basha dhe Berisha i lirë në atë kohë, kushtëzuan federatën me praninë e njëri-tjetrit. Bardhi, nën reshta të lë kuptuar se mund të bashkëpunojë edhe me Lulzim Bashën, por së pari ai duhet të japë prova, se është në krah të opozitës, e nismat e fundit, për të dënuar shpifjen e përdorur nga deputetët, sipas Bardhit, e orientojnë drejt Ramës.
“Zoti Basha dhe cilido prej kolegëve nëse e çmojnë veten në opozitë, kanë detyrimin të jenë së bashku me ne kur ne bëjmë betejë për komisione, reformën zgjedhore, apo kur bëjëm betejë që bashkarisht kemi propozuar në Kuvend. Mungesa e tyre kur ne jemi në aksion për të drejta kushtetuese të opozitës, apo propozimi I një ligji që do ta kishte zili edhe Edi Rama (dënimi i shpifjes) në vend që të jetë krah deputetëve të opozitës kur ne denoncojmë, propozon ligj që deputetët e opozitës të dënohen me dy vite. Uroj që në 2024 t’i përgjigjet atij mandati opozitar që ka marrë si përfaqësues i popullit opozitar”, thekson Bardhi.
Edhe me Sali Berishën në arrest shtëpie, të hënën parlamentit deputetët e opozitës do t’i drejtohen me synim të qartë: Nuk ka qetësi e normalitet. “Nuk ka për të patur normalitet të punës në Kuvend. Sepse normaliteti nënkupton që maxhoranca të kryejë detyrën e saj pa penguar opozitën të kryejë përgjegjësitë e veta kushtetuese. Nuk besoj që mungesa e Berishës do ta pengojë, por mungesa e Berishës dhe çdo deputeti të opozitës në aksion ka rëndësinë e vet. Do ta vlerësojmë në mbledhjen e grupit parlamentar nëse sjellja jonë do të jetë e njëjtë, pra për të pamundësuar seancat normale, apo a do të kalohet në hapa të tjerë përshkallëzues të aksionit të opozitës”, pohon ai.